“PS prezanton ekipin për zgjedhjet e 11 majit: Rama thekson rëndësinë historike të procesit”

Partia Socialiste prezantoi sot në Tiranë ekipin e saj për zgjedhjet e 11 majit, në një aktivitet ku morën pjesë qindra qytetarë nga Tirana, Kamza, Vora, Kavaja dhe Rrogozhina.

Në takimin e mbajtur në Parkun Olimpik, drejtuese politike e Qarkut të Tiranës dhe kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, hapi fjalën duke theksuar rëndësinë e këtyre zgjedhjeve për të ardhmen europiane të vendit. Ajo u shpreh se Shqipëria ka një mundësi reale për të përmbyllur negociatat me BE brenda dy viteve dhe për anëtarësim të plotë brenda dekadës.

“Këto nuk janë zgjedhje të zakonshme, por vendimtare për të përmbyllur tranzicionin dhe për të siguruar një të ardhme më të mirë për të rinjtë, fëmijët, fermerët dhe akademikët. Pasaporta europiane është një domosdoshmëri për dinjitetin e çdo shqiptari,” tha Spiropali.

Ajo u ndal gjithashtu tek rëndësia e pasaportës europiane për shqiptarët pas anëtarësimit në BE.

“Nuk jemi më në kohët kur na shikonin me dyshim dhe komplimenti më i madh ishte ‘Nuk dukesh shqiptar’. Sot, falë qeverisë sonë dhe vendosmërisë së Edi Ramës, Shqipëria është e barabartë në të gjitha forumet ndërkombëtare,” theksoi ajo.

Spiropali kritikoi primaret e Partisë Demokratike, duke përmendur rastin e Hysen Kadiut, kandidati më i votuar në Kavajë, por i lënë jashtë listave përfundimtare.

“Mungesa e respektit për Kavajën u pa qartë. Kandidati i tyre më i votuar u anashkalua për t’i bërë vend listës së bunkerizuar të familjes,” u shpreh Spiropali.

Më pas, fjalën e mori drejtuesja politike e Tiranës, Ogerta Manastirliu, e cila prezantoi ekipin e kandidatëve për Qarkun e Tiranës. Ajo vuri theksin tek energjia e re dhe profesionalizmi i skuadrës, e cila synon të çojë përpara Shqipërinë drejt vitit 2030.

“Kjo është skuadra që përfaqëson të ardhmen e vendit dhe do të udhëhiqet nga kapiteni ynë, Edi Rama, i cili pas nëntë fitoresh radhazi synon ta çojë Partinë Socialiste drejt fitores së dhjetë,” tha Manastirliu.

Në skenë u ngjitën përfaqësues nga 14 njësitë e Tiranës dhe zonave periferike, duke përfshirë emra të njohur nga politika, akademia dhe shoqëria civile, mes të cilëve Adea Pirdeni, Taulant Balla, Albana Koçiu, Igli Hasani, Delina Ibrahimaj, Iris Luarasi, Erjon Malaj, Andi Seferi, Anila Denaj, Arben Pëllumbi, Blendi Gonxhe, Blerina Gjylameti, Olta Xhaçka dhe shumë të tjerë. Sipas Manastirliut, ky ekip pasqyron gjithëpërfshirjen dhe angazhimin për një të ardhme europiane.

Në fund, Kryeministri dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, doli në skenë dhe filloi duke folur për listën e kandidatëve, ai u shpreh se ajo përfaqëson një forcë të re politike që synon anëtarësimin në BE.

“Në 11 maj, vendosim për të ardhmen tonë europiane. Vota për Partinë Socialiste është votë për Shqipërinë në BE, ndërsa alternativa tjetër është kthimi pas, në moçale politike që nuk ofrojnë asgjë për të ardhmen,” tha Rama, duke theksuar rëndësinë e zgjedhjeve si një moment vendimtar.

Ai krahasoi listat e kandidatëve të PS dhe opozitës, duke theksuar se ekipi socialist ka një vizion të qartë për të ardhmen, ndërsa opozita sipas tij nuk përfaqëson një ofertë reale qeverisëse.

Kryeministri Edi Rama theksoi gjithashtu se zgjedhjet e 11 majit kanë rëndësi historike për vendin. Ai vuri në dukje se, pavarësisht problemeve të brendshme të Bashkimit Evropian, Shqipëria do të përfitojë ndjeshëm nga anëtarësimi.

“BE-ja është e organizuar si një familje, ku ka më të rritur dhe më të vegjël, dhe ata që janë më të mëdhenj kontribuojnë për të mbështetur më të vegjlit. Shqipëria, pas anëtarësimit, do të jetë ndër vendet përfituese,” tha Rama.

Ai theksoi se vetëm në dhjetë vitet e fundit Shqipëria ka marrë pak më shumë se 1 miliard euro nga BE si mbështetje zhvillimore, ndërsa pas anëtarësimit kjo shifër do të jetë mbi 1 miliard euro çdo vit.

“Për bujqësinë kemi marrë nga BE në gjithë këto vite më pak se 200 milionë euro, ndërsa pas anëtarësimit do të marrim çdo vit 300 milionë euro. Tani, ti je fermer, e ç’po të duhet ty këneta, bufi kënetës apo Edi Rama?” vijoi ai.

Në përfundim, Rama u bëri thirrje qytetarëve që të votojnë për Partinë Socialiste më 11 maj, duke theksuar se kjo do të mundësojë rritje të pagave, pensioneve dhe investimeve në sektorë kyç si bujqësia dhe infrastruktura.

“Nuk ka rëndësi çfarë ngjyre ka kjo forcë politike, rëndësi ka që unë bashkë me këtë forcë politike fusim Shqipërinë në BE,” përfundoi Rama.

Lexo dhe Lista e kandidatëve të Partisë Socialiste për zgjedhjet e 11 Majit – Tirana